FORUMI EROTIK "KOSOVARJA"

You are not logged in.

Adverts

Adverts

#1 04.11.2007 01:57:38

Psikologu
Administrator
From: Prishtinë
Registered: 02.11.2006
Posts: 439
Website

Virgjiniteti, traditë apo frikë nga jondershmëria?

Virgjiniteti, traditë apo frikë nga jondershmëria?

Nocioni i virgjërisë, në shumë kultura njihet si normë morale, veçanërisht në familjet me patriarkalitet të lartë, ku pozita e gjinive shtrihet në një stratifikim të theksuar. Në këtë rast viktimë e këtij stratifikimi është padyshim gruaja. Asaj, përveçse i mohohen të drejtat elementare, ajo bëhet edhe pre e këtyre traditave dhe zakoneve që hyjnizohen si vlera nga shumë shoqëri.

Ekzistojnë shumë arsye pse një femër me devotshmëri ruan virgjinitetin e saj. Ai, përveçse i nevojitet femrës si fuqi për të hyrë në jetën bashkëshortore, e bën atë edhe të mos “turpërohet” para familjes së saj dhe të burrit, me të cilën ajo do ta kalojë pjesën më të madhe të jetës së saj.

“Me t’u martuar, humba virgjinitetin”, thotë një grua 54 vjeçare, duke shtuar se “Nuk do të doja t’i falja dikujt tjetër përveq burrit tim”, sipas së cilës virgjëria ishte e krijuar prej Zotit, për t’ia falur vetëm burrit.

Të jesh e virgjër nuk do të thotë të jesh e ndershme, sikundër që të jesh e zhvirgjër nuk do të thotë të jesh e pandershme. Në shumë shoqëri bota mashkullore është e prirur që paprekshmërinë femërore, përherë ta lidhë me jondershmërinë. Në shoqërinë tonë ende ka një mendim kaotik sa i përket vajzave të zhvirgjëruara. Njëra palë akuzojnë, përderisa pala tjetër, sadoqë mundohen ta kalojnë këtë çështje dhe ta vështrojnë prej prizmit të modernes, megjithatë nuk mund të shkëputen plotësisht nga e vjetra. Të etur për ta shijuar “bukurinë femërore”, meshkujt kanë dëshirë që secila nga femrat që u pëlqejnë, të jenë “pre” e tyre. Ata, madje nuk brengosen, sepse nuk humbin asgjë nga vetja, nuk kanë “cipë”, sikundër që ka gjinia e kundërt. Kështu që, të rrallë janë ata meshkuj, për të mos thënë nuk ka fare, të cilët do të pranonin për grua të tyre një femër jo të virgjër. Sado që është avancuar mendimi për këtë fenomen femëror, megjithatë, evoluimi është më shumë simbolik se përmbajtësor.

“Natyrisht, ta keshë femrën e virgjër është një plus, sepse ke në dorë diç të paprekur, e që në mendjen e njeriut gjërat kësisoj konceptohen si më me vlerë”, thotë Arbeni (24 vjeçar), student. Ndonëse ai nuk e ka provuar, nuk është i sigurt se si do të kishte reaguar nëse femra e tij do të dilte jo e virgjër. “Sinqerisht nuk e di, është problem që është rrahur pak edhe në aspektin e njohurive të përgjithshme, prandaj nuk mund ta imagjinojë reagimin tim”, sqaron Arbeni. Për dallim prej tij, Blerimi (25), pohon me gojën plot dhe me vendosmëri se nuk do të kishte pranuar që një femër “e provuar” nga dikush tjetër, të jetë pjesë e tij.

Gjinitë duke iu nënshtruar një edukimi tradicional, pak dallojnë njëra prej tjetrës, kështu që ky dallim është më shumë çështje interpretimi se sa e mendimit ndryshe. Kjo qëndron mbi bazën e mitizimit të disa “vlerave”, të cilat shoqëritë moderne që moti i kanë gëlltitur.


Virgjiniteti në Kosovë, ndeshje e tradicionales me modernen

Të pyetura për virgjinitetin, femrat shqiptare edhe mëtej vazhdojnë të ngurrojnë të flasin për përjetimin e tyre të parë me një mashkull. “Nuk kam pas marrëdhënie me askend përveç me burrin”, përgjigjet kokëlulur dhe fytyrëmërdhezur Ajshja, 34 vjeçare. Megjithatë, pas fjalës së parë ajo me afsh dhe ndjenjë të veçantë vazhdon rrëfimin për gjënë të cilën siç shprehet ajo e ka bërë “sefte”. “Dhembjet që mu shkaktuan në natën e parë, ishin të përziera me kënaqësi, sepse këtë e kisha pritur me vite të tëra”, shprehej ajo, derisa rikujtonte aktin e parë seksual. Përkundër, kësaj ajo nuk e fshehë që nuk ka fort dëshirë të bisedojë për gjëra të tilla, qoftë edhe në shoqëri të gjinisë së cilës i përket ajo. Kjo mbase nuk është çudi. Edhe sot e kësaj dite, në familjet kosovare, të biseduarit për temat “e nxehta” është çështje tabu, madje edhe në familjet me pedigre intelektuale.

Në shoqëritë e zhytura në tradicionalizëm, përveç mohimit të të drejtave tjera, femra rëndohet edhe me “inspketimin” e gjendjes trupore të saj. Në këtë kontekst, është shumë me rëndësi “pastërtia” e femrës, që për shoqëritë e tilla është treguesi më domethënës i nderit dhe i sjelljeve të saja. Femrat, të cilat hynin në jetën bashkëshortore pa himenin e tyre, ktheheshin të nesërmen në shtëpinë e të atit, duke fituar epitetin e “të pandershmes”. “Ne na pëlqen të bëjmë seks, por kur vie puna të martohemi e duam nusen të virgjër”, thotë Blerimi (29). Në anën tjetër Arta (31), thotë se virgjiniteti nuk ka kuptim të vihet para dashurisë. “Sipas kësaj logjike, femrat e divorcuara dhe te veja, nuk duhet të martohen”, shprehet ajo dhe shton më tej se: ”Kjo është e papranueshme dhe diskriminim ndaj femrave në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti”. Prandaj në shumë shoqëri ka ligje të veçanta sa i përket virgjërisë.

Dëshira naive për njohjen e virgjërisë së femrës në disa zakone përcaktohej dhe përcaktohet në mënyrë konkrete për të provuar këtë “nder”, duke mos marrë në konsiderim aspak dëshirën e nuses për ekspozimin e vaginës së saj. Madje, në disa zakone kjo gjë provohej para dasmorëve dhe atë menjëherë pas daljes së nuses nga “xherdeku”. Ky lloj anamneze, bëhej përmes dy pikave gjak që do të mund të ishin shfaqur në pëlhurën e bardhë që mbulonte shtratin ku kishte bërë natën nusja në ditën e parë të martesës së saj.

Aleks Luarasi shkruan: “Kanunet shqiptare e respektonin dinjitetin e tjetrit edhe në raste të tilla, por vendimi ishte i paraevokueshëm”. Çdo gjë kthehej mbrapshtë, e përcjellur me një heshtje mortore dhe me theks të qartë për nusen “S’a pru s’i duhet”. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, virgjiniteti zë vend të veçantë edhe mbase është një nga gjërat që sanksionohet bukur rëndë. Në Pjesën e pestë të KLD-së, flitet për virgjërinë, por duke u interpretuar atë me fjalët e asaj kohe “Po s’u pru grueja si duhet, burrit, kanunja i jep leje me i pre thekun a flokun a me lshue”. Domethënë, për të zhvirgjërat, martesa nuk sillte stabilitet emocional, por përkundrazi qelte një kapitull të vështirë jetësorë. Pikërisht, joekzistenca e virgjërisë së vajzës llogaritej mungesë e sinqeritetit dhe nderit të saj, e cila bëhej mollë sherri edhe në krijimin e konflikteve të thella ndërmjet familjes së dhëndrrit dhe të nuses. “O prishë dynjaja, na ktynihere e kemi pas zanat me shku pa prish te burri e tash nuk e kan gajle kto t’rejat”, thotë me gjysmë zëri, Hatixheja (68). Për këtë gjë, ajo fajëson burrat, të cilët sipas saj “jan ba burreca e nuk jau merr kush n’dor”. Kësisoj mendonjë edhe shumë tjerë, të cilët konsiderojnë se prishja e cipës femërore para martesës është hap drejt “kiametit”. Kjo çasje religjioze zë vend në logjikën e të menduarit edhe në kohën më të re, madje jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet më të largëta.

Në vende të ndryshme të botës, prishja e virgjërisë manifestohet në mënyra të ndryshme dhe të cilat si emërues të përbashkët kanë zakonin, respektivisht sanksionet që i vë një grupacion i caktuar shoqëror. Në Australi, shkatërrimi i himenit kombinohet me një akt zyrtar të marrëdhënies seksuale. Sipas Spenserit dhe Gillenit: “Himeni shpohet në mënyrë artificiale dhe burrat që kanë qenë të pranishëm në këtë operacion kryejnë sipas një rradhë të caktuar një koitus (ceremonial). Sipas tyre, ky operacion përcillet me dy akte: prishjen e himenit dhe më pas marrëdhënien seksuale të dhunshme. Për dallim prej këtu, në Malajzi, Sumatra dhe Alforos në Celebes, sipas Frojdit zhvirgjërimi bëhet nga babai i nuses, i cili dhëndrrit ia shpien nusen “të gatshme”. Përmasat edhe më tragjike të këtij zakoni i gjejmë në Filipine, ku zhvirgjërimi kryhet nga gra të moshuara që kanë për profesion zhvirgjërimin e nuses. Kurse te disa fise eskimeze, zhvirgjërimi bëhet nga “angekoku apo prifti”. Në Francë ka rajone ku miqtë e të martuarit qëndrojnë pas derës së dhomës martesore, duke qeshur dhe kënduar derisa burri ta shpalosë triumfalisht para syve të tyre çarçafin e skuqur nga pika gjaku ose prindërit e djalit ua tregojnë çarçafin në mëngjes fqinjëve të tyre.

Simone De Beauvoir, shkruan se: “Ky zhvirgjërim nuk është arritja harmonike e një evolucioni të vazhdueshëm, ai është një shkëputje me të kalurën, është fillimi i një cikli të ri”. Prandaj, jo rrallë herë vajzat e reja i nënshtrohen një virgjërie të betuar, të cilën grekët e quajnë “Parthemos ademos”.

Krijimi i tabuve për virgjërinë është një hendikep i madh për shoqërinë mbi të cilën rri varur dëlirësia dhe nderi i një vajzeje. Sido që të jetë, edhe në shoqëritë më të zhvilluara, virgjëria ka marrë një vlerë morale, fetare e mistike dhe kjo vlerë njihet edhe sot si universale. Këtë e dëshmojnë edhe ceremonitë e organizuara gjatë martesës. Në një formë pak të ashpër zakoni i “natës së martesës” është ende i përhapur. Ai ekziston, sepse ekziston forma arkaike e martesës. E tërë kjo mbështet në ndjenjën e superioritetit të botës mashkullore, qysh prej fëmijërisë, respektivisht prej zhvillimit të tyre gjenital. Madje jo rastësisht për Beauvoir dallimi anatomik (ekzistenca e penisit te mashkulli, e jo ekzistenca e “të prekshmës” te femra), vërteton ndasinë natyrore dhe të pashmangshme. Në këtë kontekst: “Anatomia mashkullore përbën një formë të fortë që i imponohet shpesh vajzës së vogël, dhe ajo nuk e sheh më fare trupin e saj”, thotë ndër të tjera Simone De Beauvoir.

Pikërisht, kjo frymë e organizimit të raporteve ndërseksiste, bëri që në mënyrë arbitrare të mohohet kënaqja e instinktit seksual të femrës, të cilën, Fon Kraft Ebinku e quan këtë “bujkrobëri seksuale”.


Gjymtimi gjenital, diskriminim femëror apo vazhdimësi e traditës

Sot në botë afër 100 milion femra janë viktimë e kësaj norme, e cila gjenë strehë në moralin tradicional. Ndonëse, kjo është formë tejet e vrazhdë dhe e papranueshme e “ruajtjes së nderit”, megjithatë në 24 vende praktikohen disa mënyra të gjymtimit të organeve gjenitale të femrës.

Në Nigeri, Togo, Somali, dhe Egjipt, femrave u gjymtohet organi gjenital dhe me këtë rast atyre u eleminohet kënaqësia të cilën e ofron akti seksual dhe ruhet “paprekshmëria”. Kjo gjë bëhet me anestezion natyror nga mamitë apo plakat. Njëra nga viktimat që ka përjetuar në trupin e saj këtë “normë” është edhe Meserak Ramsey, një vajzë e lindur në Etiopi e cila ushtron profesionin e infermieres në Californi. Ajo është privuar përjetësisht që të ndjejë kënaqësinë seksuale (Femal Genital Mutilation; Violence in the name of Morality, John J. Macionis “Sociology”).

Pasojat e gjymtimit gjenital përfshjinë katër operacione: prerjen rrethore, e cila arrihet me prerjen e kapuçit të kliotorisit. Në vendet muslimane, ky operacion njihet si “synet”, dhe që ka kuptimin e fjalës “traditë” (cirkumcizion-lat). Eksizioni ka kuptimin e prerjes së gjithë klitorisit ose e një pjese të tij. Iinfibulacioni është kur dy anët e vulvës qepen së bashku me sature mëndafshi ose me kapse, duke e penguar kësisoj introtusin, me përjashtim duke e lënë me anë të drurit apo kallamit për kalimin e urinës dhe menstruacioneve. Vajzës ia lidhin të dy këmbët dhe ajo rri pa lëvizur për dyzet ditë, derisa të mbyllet plaga dhe operacioni i katërt është i ashtuquajturi Mesatar, që do të thotë heqjen e klitorisit.

Një traditë e tillë haset sot edhe në Turqi. Autoritetet e organizatës “Human Rights”, para disa vitesh kanë kërkuar që ky shtet islamik të parandalojë ekzaminimin e virgjinitetit të femrave turke (State Controll of Women’s Virginity in Turkey: “A Matter of Power”). Për dallim prej këtyre shteteve, në disa tjera, çështja e virgjinitetit është sanksionuar me ligj. Në Sudan, ekziston një ligj zyrtar i miratuar më 1946 dhe i cili ndalon gjymtimin gjenital. Sipas këtij ligji, personat që e kryenin këtë akt dënoheshin me 5 vite burg ose me gjobë. Ligje të tilla funksionojnë edhe në shumë shtete evropiane. Përderisa në Suedi dhe Angli ka ligj të posaçëm për këtë akt, në Francë, ekziston një nen në kuadër të Kodit Penal Francez dhe sipas nenit 312-3, gjymtimi konsiderohet si vepër penale. Ndryshe nga këto vende, në Kosovë, haset një formë më e modifikuar që njihet si “kamuflim i himenit”. Sipas pohimeve të mamive është rritur dukshëm numri i vajzave të reja, të cilat njëherë e kanë humbur virgjinitetin e më pas kanë kërkuar ndihmën e mjekut për të bërë disa intervenime kirurgjike kozmetike, përmes të cilave ato do të dukeshin si të paprekura. “Këto vajza kërkojnë ndihmën e mjekut së paku tri ditë para martesës, me ç’rast himeni i tyre qepet me penj, të cilët këputen gjatë aktit sexual në natën e parë të martesës së tyre”, thotë një mami, e cila punon në një ordinancë private dhe parapëlqen të mbetet anonime. Mjekët thonë se këtë veprim e bëjnë për “të shpëtuar çiftet nga ndarja”.

Offline

 

04.11.2007 01:57:38

AdBot
Advertisements

Adverts

Board footer

Powered by FluxBB
Hosted by PunBB-Hosting

Announcement